![]() |
Sevdail Hyseni |
Çështja e Luginës...
Çmallet për çudi,
Nëpër kafet tona
Me meze e raki!
Shpërthejnë opsionet
Me nga një premtim,
Të urta të brishta
Siç thotë në vazhdim…
Fjalë e urtë devollçe:
- Si të bëjmë e si të themi,
Bir, o Muço kokë - demi,
Dasmë bëjmë e nuse s’kemi!
FESTAT E DYFISHTA…
Për Ditën e Mësuesit, Spica me satirë,
Gjendja në arsim, s’është aspak e mirë!
Në qoftë se arsimi, nuk është n’terezi,
Mos prit nga pushteti, të bëjë mrekulli!
Dufi dhe injoranca, të lidhin nga gryka,
Nëse nëpër shkolla, nuk vdes politika!
Reformat n’arsim, janë një dush i nxehtë,
Në mungesë të tyre, lindin analfabetë!
Dhe më pas shoqëria, do ta ketë më zor,
Të na sigurojë, një arsim cilësor!
Me gjitha problemet, nuk mungon urata,
Na nderohen mësuesit, sall me dekorata!
Ndërsa për 8 Mars, Spica me shigjeta,
Veç Mësuesit dhe Gratë, nuk ndihen të qeta!
Ato s’lypin shumë, nga drejtat njerëzore,
E kanë me meritë, barazinë gjinore!
Ndryshimi nuk ndodh, me ca deklarata,
Fuqizimi i grave, vetëm në fushata...!
Nga të gjitha këto, të nxjerrim një mësim:
Pa Nënë dhe pa Mësues, jeta s’ka kuptim!
LUGINA E REFERENDUMIT…
Kur u mbajt për bashkim Referendumi,
Luginën Dardane, thanë e mori lumi..!
Po që nuk e mori, me rrënjët e thella,
Nga se Ariu, s’nxirret dot nga shpella!
Brez pas brezi ruajti gjuhë edhe zakone,
Duke u përplasur, në shumë opsione…
Madje nxori n’treg, emrin e kësaj treve,
Nga Kosovë Lindore, në Luginë Presheve!
Kosova Lindore, nuk matet n’peshore,
As më pak nuk është, sikur zorra qorre,
Njerëzit e kufirit kanë thënë me të drejtë,
Janë si rrathë lakrori, që s’përtypen lehtë!
Le ta dijë Brukseli deri në Serbi,
Edhe ne n’Luginë, jemi kuq e zi.
Kuq e kemi gjakun e zi situatën,
Që kur na ndanë, si dita me natën!
Lugina e Preshevës, shtyhet në agjenda...
Ajo është vullkani, që zien nga brenda!
Nga flakët e saj ndizet gjithë Ballkani,
Për një plesht të vogël a digjet jorgani?!
(Me rastin e 27 vjetorit të Referendumit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkëngjitje Kosovës, pjesë e pandashme e së cilës ka qenë, gjithmonë, gjatë historisë).
VDEKJA E AKADEMIKUT…
Kur u nda nga jeta, Akademik Idriz Ajeti,
Nga dhembjet me lot, ka qarë Alfabeti..!
Të gjithë germat shqipe, me tinguj mortorë,
E nisën në amshim, "Rrapin Shekullor"!
Pa qarë s’mbet, vendlindja prej Medvegje,
Që ka mbet e ndarë me gardh e me megje!
Këto ndarje u panë, në të pame e n’varrim,
Me një grusht njerëzish, mbushur pikëllim!
Kjo shoqëria jonë, me shumë “detyrime”,
Po si nuk e gjeti, një vend për ngushëllime?!
Gabimet me thasë, i kemi n’praktikë,
A s’na ngeli Noli, me varr n’Amerikë?!
FESTA DHE PROTESTA!
Këto ditë vikendi, proteston Shqipëria,
Kurse në Kosovë, feston pavarësia…
N’vend se shqiptarët të jenë bashkë në festa,
Ata të përçarë shpërthejnë në protesta!
Pa mbaruar dimri, qe “Pranverë Shqiptare”,
Erdh’ me tensione – duket ashiqare!
Fillon me protesta, madje dhe trazira...
Nuk shembet pushteti, me vezë e ngjyra!
Aq më pak e keqja, që fryhet tupan,
E zihet me t’mirën, brenda në kazan!
Lufta për pushtet, nuk mbaron me kaq,
Dhe se zjarr i saj, përvëlon si saç!
Flenë sikur lepuri, me një sy hapur,
Për një pushtet nga krimi i kapur!
Por edhe kur ngjiten shkallëve n’Qeveri,
Sillen si të çmendur, nuk janë n’terezi!
E zhveshin Kuvendin nga vlerat morale,
Duke e zhytur n’aferë e skandale!
Po edhe opozita nuk lë asgjë mangut,
E dehur për poste, kërcen përtej pragut!
Këndej nga Lugina pyesin me t’vërtetë,
Pse kaq shumë shqiptarët, vuajnë për pushtet?!
No comments:
Post a Comment