Radio Vlera


2012/10/14

Letrat satiriko - humoristike te Sabit Abdylit

SABIT ABDYLI























Leter si ketyne heresh (6)





E dashuna shumë, shumë Tixhe,
Unazën me guri të kaltër veje në gisht se boll po tutna po të marrin mësysh.  Kanën, për ditën e kanës, e ka 
porositë nana nji grue me prue prej Turqisë.  Bash has kanë.  Mos u ban budall me kajt shumë kur ta ngjesin bojën. 
Këtu mbramje për mbramje mblidhen çikat e mahallës nën hajt të shtëpisë dhe po kënaqen tuj ra defit, këndue e 
tuj hedh valle deri natën vonë. Bushi ka ble fenerë në Shkup, krejt oborrin dritë e bajmë. Bile nana  gatujti  kollpite 
për darkë dhe zjeu  shtalba. Sot kesh te terzia n’sheher me i pre teshat për darsëm. Kurrë kësi stofi të mirë nuk 
kam pa, tha terzia. He bacoo, i thash, stof kanger asht, ma ka ble baci n’Austri.  Mbas nji jave kam me shkue prapë. 
Tamam qat here para darsmës  bahen gati. Letrën teme  ish kanë për pak tuj ta zanë nana. Nashti nuk të kish thanë 
gja se edhe ajo e re u kanë si ti. Kallëzom serbez nëse të duhen pare se, helbete ke qef me ble naj sen. Fotografinë 
tande nuk pata qare pa ua dhanë çikave me pa. Motra e vogël dreqi u kish kallëzue. Me rend e këqyren të gjitha. 
Mbetën pa mend e pa gojë tuj ba:  ua, au,  çfarë sy paska, çfarë flokë, çfarë bukuroshe...!  Prekne hundën, ju thash, 
tuj kesh, se po i merrni mësysh. Ajkuna e bacit Dan m’kallëzojë që t’kish pa tuj e marrë nji yrnek te kunata e saj. I 
lumi ti, tha, çfarë nuse ke me marrë! Ajkuna deshi me fol hala po hyni bushi dhe ajo i nali fjalët.
Tixhe, zemer të kam!






LETRA SI KTYNE HERESH (7)




Tixhe e dashun,

Edhe nji javë dita e darsmës. Krejt trupi po më dridhet.. . edhe nji javë po vjen, ah Tixhe, Tixhe...! Boll ma, boll , dy
vjet nën unazë, dy vjet larg, dy vjet me letra tuj i shkrue e lexue tinza (shyqyr kjo e fundit), dy vjet pa gjumë e
merak për njeni tjerin, dy vjet sa te bërryli i parë, sa te Trina e madhe me t’pa.  Miqtë e katundin shpi për për shpi i
kem thirr, bijat i kem mbledh para nji jave, kerret, kuajt e seksanës, bajraktari që tash dihen, tupanët i kem
porositë. Bile edhe grat e kerrit janë caktue. Kazanat,  enët, sofrat, turshit, djathin, gazin për fitilaqa, llampa e
fenerë i kem sigurue. Magjetoret në sitë të hollë po e sitin  miellin, t’hollojnë peta për pite e bukë nore. Konaqet,
hyzmeqarët  te gatshem jane me ja nis punes. Teshat  i mora dje.  Mbramje për mbrëmje po mbyllna në dhomë dhe
po i veshi me pa qysh po m‘rrinë. Të mira valla. Hajt se të dielën mbrama ke me pa edhe vetë sa të mira janë.  A e
ke çel arkën e teshave. I pashë kur i paluen nana me hallën Nurkë. Ani shtinën edhe dy-tri grushta sheqer gurë në
arkë. Ti e mirë, teshat e mira, ke me ua kalue krejt nuseve të kësaj ane edhe ma larg. Të shtunën nisin me ra
tupanet, dy parë tupane! Të nesërmen krushqit kah dreka mbërrin te ti.  Dhe ty,  mbasdreke bushi (baba) ka me të
zbrit prej kerrit t’kuq. Ah, sa kisha dashtë unë me t’zbrit, po ...!  Daja Trim e baci kanë me qit me allti bam, bam me
paralajmërue se erdh nusja. Të hanën para dite Tixhe dajallarët, nipat e njerëzit e shpisë kanë me thye kulaçin. Ke
me dal te bunari pak ma vonë, tuj të këndue çikat. Ju ka thanë nana, nuk due me ma sha e ranue me naj fjalë
nusen, po edhe t’shajshin ti mos u ban merak se qashtu i provokojnë krejt nuset.   Mbas dite mblidhen grat, nuset e
çikat. Tash po e marrë me mend dhe po të shoh në rend të nuseve, ti e para dhe ma e mira se krejt.
Tixhe, loçkë, shpirt e zemër t’kam!

Shtator, 2012




No comments:

Post a Comment