Radio Vlera


2013/02/13

HUMOR NGA SABIT ABDYLI

THUMBI

Sabit Abdyli


S’NA LANË NJI FJALË ME FOL


Një ish koleg i punës kur isha në Kosovë (2004) më thirr për drekë. Eja, më tha, gruaja ka gatuar lakror me spinaq. Rrugës takuam edhe L. dhe S. Ku kështu? - na pyetën. Kështu e kështu, ju treguam. Valla edhe na po vijmë. Dhe erdhën. Pas drekës, në dalje, i them kolegut: O Qahil, faleminderit prej gruas tënde që kish gatuar se ti të drejtën me ta thanë ma prishe drekën e ndjen, dreqi të çojë me e marr Limanin e Sylën, naj hangrën laknorin edhe s’na lanë një fjalë me fol.


A nuk e di që unë mahitna a 

Diku në vitet e 90-ta, e pyeta Naserin (Naser Sejdë Syla) : A ban t’i marr dy kolica pleh tandin afër bahshqes teme. Merr, tha, jo dy po sa të duhen. Të nesërmen shkova dhe po marr pleh, kur çika e Raifit (Raif Syla, tashmë i ndjerë) po më këqyr prej shtëpisë. O, e kam pyet Naserin!- i thash. Plehi nuk asht i Naserit, po i joni, po ani merr. Shkova turravrap te Naseri, dhe: Naser, Zoti të marroftë, plehi nuk ish i yti. Qy baci Sabit, a nuk e di që unë mahitna a!? - u përgjigj tue kesh me za. E kam dit, po bash qeshtu shumë, nuk e kam dit. 



Bash te ylli me pesë cepa


Në kohën e komunizmit shkon Mushi te mjeku. Hë shoku Mush, e pyet mjeku, çfarë problemi ke? Shoku mjek, jam ftohur dhe kam dhembje prapa shpine, duke mos dashur të përmend kryqin (kryqet) si komunist që ishte, i thotë, bash te ylli me pesë cepa, ja këtu pak mbi by... po më dhemb.



SHERRIN TA PASHË


Një bari delesh nga larg e vë re Mushin që po vinte. I del përpara dhe i thotë, Baca Mush, mos pate letër duhani? Po bacit, qe!. Duhan? Po bre qe edhe duhanin, dredhe. Shkrepësen baci Mush, t’ja kuqi kryet cigares? Qe edhe shkrepësen, kalle. Aiii, baci Mush, sherrin ta pashë se më hynë dhentë në livadh të Demushit! – i thotë bariu, duke ikur me vrap drejt deleve.



PSE BRE NUK MË TREGOVE


Administratori Entit për inkuadrim I. ma kreu punën dhe kur desha të përshëndetem me te, më thotë, prit se edhe unë po dal, e kam kohën e drekës. Kur mbërrimë karshi qebaptores, më kapi për krahësh dhe, hajde hamë drekë, më tha. Ky është i mësuar mendova, kujt i kryen punë si mua edhe një drekë ia nxjerr. Dhe ... Hymë në qebaptore, ai nuk ndalej duke porositur; Kaq qebapë, kaq copa mishi të pjekur, speca, kos delesh, pije etj. Dhe unë i merakosur bëja llogarinë se a do më dalin parat për të paguar. Ha, më thoshte, çka je ashtu i menduar, po, po i thosha me gjysmë zëri se mendjen e kisha sa do të më kushtojë. Në fund kërkova llogarinë dhe nxora paratë ... Jo, kurrë, më shtyri, ti punëtor arsimi, s’të lë, unë paguaj. Të tjerë janë ata të cilëve ju marr. Pse bre nuk më tregove më herët, bile kisha drekuar me qejf, i thash I., duke qeshur.

No comments:

Post a Comment